
Nuk ka respektuar rregullat e “fair play financiar” të Premier League dhe mund të përballet me një dënim shembullor nga ana e Komisionit që ka marrë në dorë dosjen voluminoze me shkeljet e pretenduara. Manchester City rrezikon shumë në kuadër të një hetimi të nisur 4 vite më parë ku dilet në përfundimin se klubi i sheikëve ka shkelur 100 normat që lidhen me “fair play financiar” duke shpenzuar shuma marramendëse që janë fshehur në mënyra të ndryshme por nuk ka vetëm kaq.
Penalizimi mund të jetë shumë i rëndë, duke nisur nga heqja e pikëve për këtë sezon dhe deri tek përjashtimi i skuadrës nga Premier League apo heqja e 3 titujve kampion.
Një nga çështjet më të mprehta dhe delikate të hetimit është edhe nënshkrimi me lojtarë nën moshën e lejuar të cilëve u është bërë presion për të firmosur duke iu premtuar edhe shuma të majme nën dorë.
Klubi dyshohet si i ka thyer rregullat në 9 sezone dhe nuk përjashtohet as mundësia e heqjes se titujve të fituar në vitet e fundit. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, prokuroria bën me dije se hetimet kanë nisur për periudhën 2009 dhe janë zgjatur deri në 2017-ën. City përballet me akuza të tjera të rënda si mungesa e bashkëpunimit me drejtësinë për të ndihmuar hetimin që nisi në vitin 2018.
Në lupën e hetimit është edhe ish-trajneri, Roberto Mancini, i cili u largua nga skuadra në vitin 2013 por gjatë periudhës së drejtimit të skuadrës pranoi të paguhej në një pjesë të shumës nën dorë për të evituar rëndimin e barrës se faturave që duhej të dorëzonte klubi.
Premier League deklaron në një komunikatë:
“Bazuar në rregulloren e Premier League W.82.1, konfirmojmë se ndaj klubit të Manchester City janë drejtuar disa akuza zyrtare”.
Të gjitha dokumentat dhe provat e zbuluara nga hetuesit e Premier League i janë dorëzuar një komisioni. Ky komision përbëhet nga njerëz të pavarur të emëruar nga Dhoma Drejtuese e Panelit Juridik të Premier League. I takon pikërisht këtij komisioni për të marrë një vendim në lidhje me dënimin por kjo nuk do yë jetë shkalla e fundit e gjykimit pasi klubi ka të drejtë ta apelojë por jo ta çojë në Lozanë, ashtu siç bëri me dënimin e UEFA-s pasi kjo është një çështje që konsiderohet kompetencë e brendshme e Premier League.
Klubi nuk ka reaguar ende por sipas mediave Britanike avokatët janë vënë në lëvizje dhe nuk kanë aspak ndërmend t’ia bëjnë të lehtë drejtësisë, pasi do të kundërshtojnë çdo akuzë me pretendimin se kanë prova të forta për ta bërë këtë. Për periudhën që është nën hetim, City ka fituar 3 titujt të Premier League, 1 FA Cup dhe 1 Carabao Cup.

Nëse gjykata do ta shpallë fajtor klubin e sheikut Al-Mansour mund të përdorë edhe dorën e lehtë pasi mund të kufizohet edhe me ndëshkimin që parashikon “mbylljen e merkatos për një afat të pacaktuar”, por kjo mbetet për t’u parë pasi gjykimi në themel mund të kërkojë shumë kohë.
Ndërkohë, e përditshmja gjermane, “Der Spiegel” publikon disa dokumenta që kompromentojnë pozitën e Manchester City, të cilat janë hakeruar gjatë ditëve të fundit nga portugezi Rui Pinto. Në këto dokumenta del qartë se klubi është financiar nga kompani që kanë si pronarë, drejtuesit aktuale të “Citizens”.
Në shkurtin e vitit 2020 UEFA e gjobiti klubin me 30 milionë euro dhe e përjashtoi për 2 sezone nga UEFA Champions League, pasi zbuloi që City kishte shkelur me të “dyja këmbët” rregullat e fair play financiar. Dënimi u lehtësua ndjeshëm nga Gkykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës që e uli gjibën deri në 10 milionë ndërsa zhvlerësoi pezullimin nga Champions.